
Franca është një nga skuadrat favorite për t’i shkuar deri në fund trofeut të Kupës së Botës, jo vetëm për faktin që është kampionia në fuqi, por edhe për shkak se në gjirin e saj ka shumicë yjesh. Pikërisht Antonio Griezmann është një nga lojtarët që padiskutim është i kudo ndodhur në ndeshjet e “Gjelave”.
Didier Deschamps e ka sulmuesin e Atletico Madrid si të preferuarin e tij, pasi që nga gushti i 2018 ka luajtur plot 70 ndeshje radhazi duke mos munguar në asnjë duel.
“Rekordi paraprak ishte i Patrick Vieiras në 44 ndeshje radhazi. Kur unë arrita të 40 ndeshje radhazi nisa t’i lutem trajnerit që të më përdorte. Prandaj, sa herë që jam në fushë, përpiqem të jap gjithçka për trajnerin. Pa të nuk do të ishte ky rekord.
Trajnerit Deschamps i detyrohem gjithçka që kam arritur në këtë kombëtare. Unë jap gjithçka për Francën, për fanellën, por edhe për të dhe përpiqem të bëj gjithçka që ai të vazhdojë të më besojë. Çdo ndeshje, çdo veprim, është si një “faleminderit” që i dërgoj Deshampit. Unë dua që ai të jetë krenar për numrin e tij shtatë”, tha Griezmann.
Ylli i Atletico Madrid është një nga futbollistët me më së shumti paraqitje me Francën pasi deri më tani është paraqitur në 113 ndeshje dhe ka para vetës vetëm emrat si Lilian Thuram, Hugo Lloris, Thierry Henry, Olivier Giroud e Marcel Desailly. Në 113 ndeshje sa ka luajtur për Francën, Griezmann ka shënuar 42 gola dhe ka asistuar në 34 të tjerë.