“Në 2009 kur lashë Realin dhe shkova te Bajern Mynih, bëra një hap pas”. Kështu është shprehur Arjen Roben në një intervistë për “Fox Sport”.
Sulmuesi holandez rikthehet të flasë për transferimin e tij në Bundesligën 1, pasi u largua nga klubi më i titulluar në Europë, ndërsa pranon se kishte dyshime për të ardhmen e tij te Bajerni.
“Reali kishte shpenzuar shumë në atë periudhë dhe m’u tha nga ana e drejtuesve se duhet të më shisnin që të ulnin deficitin.
Unë dhashë maksimumin në atë skuadër, por nuk më dhanë asnjë shans tjetër për të marrë një vendim tjetër, veçse të largohesha.
Në atë periudhë, Bajerni nuk ishte mes më të mirëve të Europës. Ishte vendimi më i vështirë i jetës sime, sepse ishte një hap pas.
Në fund firmosa, sepse drejtuesit e klubit këmbëngulën shumë, madje edhe Van Gal pati një rol të madh dhe vendimtar në transferimin tim në Mynih”, deklaroi Arjen Roben.
Nga ai moment, Bajern Mynih arriti të kapte sërish majat e futbolit europian. Roben fitoi 5 herë kampionatin, 4 Kupa të Gjermanisë, 2 herë Superkupën e Gjermanisë, 1 Champions League, 1 Superkupë Europe dhe 1 Botëror për klbue. 14 trofe për 7 vite e gjysmë!