
Coronavirusi ka ndalur futbollin e luajtur, por jo stërvitjet e lojtarëve që në kushte individuale po përgatiten për të qenë gati kurdo që të ndizet drita jeshile për të zbritur në fushë. Lidhur me gjendjen aktuale që po kalon i gjithë vendi ynë, por edhe mbarë bota ka folur trajneri i Shpresave, Alban Bushi.
Në një intervistë të dhënë për RTSH Sport, tekniku i 21-vjeçarëve është ndalur fillimisht te gjendja e lojtarëve të skuadrës Shpresa: “Me lojtarët e ekipit Shpresa kam kontaktuar thuajse me të gjithë, ata si të gjithë sportistët e tjerë janë duke u stërvitur në shtëpi dhe kush ka mundësi ka bërë pak vrap. Gjithsesi, mendoj se do të jetë një detyrë e madhe e preparatorëve teknik dhe stafit për të patur një program të specifikuar që të merret me detaje, pasi pas një pushimi kaq të gjatë çdo futbollist mund të dëmtohet”.
Kjo pauzë dy-mujore e ka ndihmuar shumë Alban Bushin në aspektin personal. Tregon se ka lexuar libra për t’u zhvilluar nga ana profesionale.
“Kam bërë një rezyme se ka qenë një kohë e gjatë pushimi dhe kam parë e stërparë lojtarët e ndeshjet, apo kam parë edhe lojtarët që mund të jenë për sezonin tjetër dhe kam krijuar një ide më të qartë. Plus na ka ndihmuar edhe nga ana profesionale për t’u zhvilluar edhe ne vetë si trajner sepse ka qenë një kohë e madhe studimi e duke lexuar librat sportive apo duke parë programe sporti”.
Në fund është ndalur te kualifikueset e Europianit, ku kuqezinjtë kanë mundësinë e “Artë” për të arritur vendin e tretë.
“Këtë edicion nuk është se na kanë munguar rezultatet, por kemi bërë një hap fals me Andorrën dhe ato dy pikë të lëna mbase do t’i kërkojmë në fund. Gjithsesi, kemi edhe katër ndeshje dhe jemi në vend të katërt, por kemi besimin se mund ta mbyllim në vend të tretë këtë edicion.
Ka shumë futbollistë dhe po të shohim ekipi kombëtar A, ka një moshë realativisht 23 apo 24 vjeç. Ka shumë alternativa, plus që do ketë edhe këtë sezon, do të ketë akoma tre apo katër lojtarë që do shkojnë te ekipi kombëtar A, të cilët i tha edhe trajneri Reja që do t’i provonte në ndeshjen me Slloveninë”, ka thënë ai.