
Për Dragan Stojkovic, humbja 1-0 ndaj Shqipërisë ka rezultuar fatale për të. Menjëherë pas kësaj disfate njoftoi edhe dorëheqjen e tij në konferencën LIVE.
Serbi theksoi se e gjithë përgjegjësia e kësaj humbjeje është tek ai dhe asnjë nuk duhet të fajësojë futbollistët. Ndër të tjera shprehet se mund të ketë gabuar në zgjedhje, por janë gjëra që ndodhin dhe për këtë merr përgjegjësitë e këtij dështimi, ndërsa nënvizon se me ekipin nuk do të udhëtojë për në transfertë ditën e dielë për të zhvilluar sfidën me Andorrën.
“A kemi lojtarë më të mirë? Nuk e di. Kjo përzgjedhje lojtarësh ka qenë zgjedhja ime. U përpoqa ta zgjidhim këtë ndeshje në favorin tonë. Ose kam gabuar në zgjedhje, ose thjesht kam gabuar, por ja që ndodhi kështu. Kur të largohem, do të largohem me krenari. Ka qenë privilegj të jem trajner i vendit tim. Që kur mora drejtimin, dikush do analizojë nëse ia vlejti apo jo, nëse pati gjëra të mira, mendoj se po, por nuk duhej të ndodhte të humbnim këtë ndeshje. Jo për mua, por thjesht nuk duhej të ndodhte.
Nuk e prisja këtë, jo për faktin nëse do të qëndroj apo jo. Unë jam fajtori më i madh, mos fajësoni lojtarët. Është përgjegjësia ime. Gjithmonë në jetë kam ndjekur logjikën që duhet të jesh i sinqertë me veten. Nuk jam për ta fajësuar skuadrën, djemtë u munduan, luftuan, vrapuan. Gjithçka që folëm dhe përgatitëm, nuk mjaftoi. Unë i mbroj 100% ata. Kam qenë këtu katër vjet e gjysmë, dhe po të ma thoshte dikush këtë në vitin 2021, nuk do e besoja. Kemi pasur shumë suksese, shumë momente të bukura, kemi gëzuar kombin, por këtë herë e zhgënjyem. Dhe unë jam këtu për të mbajtur përgjegjësi, pa justifikime.
E kemi zhgënjyer kombin, mbaj përgjegjësi të plotë. Nuk udhëtoj me ekipin të dielën.
Kam biseduar tashmë me presidentin dhe sekretarin e përgjithshëm dhe si një njeri i përgjegjshëm, kam ofruar dorëheqjen. Këtë humbje nuk e prisja, sidomos ndaj një ekipi që është rivali ynë kryesor për vendin e dytë. Marr përgjegjësi absolute dhe unë jam i vetmi fajtor. Për këtë mos u shqetësoni. Më vjen keq që humbëm, por kështu është sporti dhe jeta. Do ketë kohë të flasim për gjëra të tjera, por si person përgjegjës, kam ofruar dorëheqjen para dy drejtuesve kryesorë të Federatës.
Besova se mund të fitonim, madje të paktën të barazonim, por jo të humbnim. Është përgjegjësia ime, pranoj çdo pasojë dhe kaq. Më vjen shumë keq që Serbia humbi, unë nuk jam aq i rëndësishëm. Nëse ndoshta ajo topi do të kishte hyrë në portë, gjithçka do ishte ndryshe, por tani është e kotë të flasim. Provova gjithçka në pjesën e dytë, por nuk dha rezultat.
Më vjen shumë keq për njerëzit, për gjithë futbollin serb. Kur humb ndaj rivalit më të madh… e di çfarë do të thotë kjo. Do flas me Federatën, do vendosim bashkë, por e di që vazhdimi është shumë i vështirë. Jam plotësisht i vetëdijshëm për këtë. Do marrim vendimin më të mirë. Kam përgjegjësi ndaj organizatës dhe pranoj fajin. Ata e merituan fitoren, arritën të na mundin. Do presim një shans tjetër për t’i mposhtur, por sonte nuk shkoi.
Ju e dini vetë, prej kohësh punoj nën presion të jashtëzakonshëm. Më janë drejtuar fjalë të papërshtatshme. Ishte shumë e vështirë të përballohesha me këtë. Kjo humbje nuk duhej të ndodhte, por ndodhi dhe unë pranoj përgjegjësinë. Jam në krye të ekipit dhe jam këtu për të përballuar pasojat”, ka përfunduar Dragan Stojkovic.