
Në repartin ofensiv të Juventusit për sezonin e ardhshëm pritet të ketë revolucion. Dy sulmuesit e qendrës Dusan Vlahovic dhe Randal Kolo Muani me shumë gjasa nuk do të jenë pjesë e klubit bardhezi vitin e ardhshëm.
Për sulmuesin francez, Juventusi nuk ka ndërmend ta blejë përfundimisht kartonin e tij, e për serbin mund të ketë një lamtumirë për shkak të paraqitjeve të tij jo bindëse. Opsioni dhe objektivi kryesor që “zonja e vjetër” po ndjek prej kohësh është Victor Osimhen.
Por në rast se nuk arrihet drejt një përfundimi të kënaqshëm tek ish-sulmuesi i Napolit, Juventusi do të provojë sulmues të tjerë. Bardhezinjtë ndjekin prej kohësh edhe Ademola Lookman, por së fundmi ka dalë në pah edhe emri i Mateo Retegui. Sulmuesi i Kombëtares italiane ka arritur të realizojë 22 gola në 29 paraqitje duke udhëhequr listën e golashënuesve në Serie A.