Real Madrid nuk ia del të marrë më shumë se një barazim në ndeshjen e parë të La Liga. Kampionët në fuqi u ndalën nga Mallorca në transfertë në ndeshjen e përfunduar me rezultatin 1-1.
Ishin Los Blancos që kaluan të parët në avantazh me Rodrygo në minutën e 13' duke diktuar lojën në pjesën e parë. Por, në startin e të dytës ishte sulmuesi dardan Vedat Muriqi që riktheu baraspeshën me një gol mjaft të bukur me kokë. Një krosim nga këndorja gjen Muriqin i cili kërcen mbi të gjithë dhe gjuan fort me kokë duke tronditur kuadratin e Thibaut Courtois i cili nuk kishte ç'të bënte.
Madrilenët tentuan deri në fund, por pa sukses duke e mbyllur me këtë rezultat ndeshjen teksa edhe Ferland Mendy u ndëshkua me karton të kuq për një goditje të pafalshme me takë pikërisht ndaj Muriqit.