Barcelona dhe Hansi Flick do të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre deri në verën e vitit 2028. Ky është vendimi i fundit i marrë nga drejtuesit, të cilët kanë marrë dhe dritën jeshile nga trajneri gjerman për të vazhduar në të njëjtin drejtim së bashku.
Katalanasit janë në rrugën e duhur për të fituar trofeun e dytë sezonal, pasi kampionati është duke shkuar drejt “finishit” dhe distanca me ndjekësit më të afërt, rivalin e përjetshëm Real Madridin është 11 pikë.
Për këto arsye, duke u nisur dhe nga fakti se sa shumë ka ndikuar gjermani në stol, si në rezultate, dominimin në fushë dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera që ka krijuar me lojtarët, presidenti Joan Laporta dhe drejtori sportiv Deco s’e kanë patur të vështirë për t’i qëndruar besnik kësaj zgjedhje.
Vetë Flick nga ana tjetër është shprehur vazhdimisht për dashurinë që ndjen për këtë klub dhe se ëndrra e tij më e madhe mbetet Champions League.
“Kjo do të jetë puna ime si trajner. E dua Barcelonën dhe ëndrra ime është që të sjell këtu trofeun e Champions League”, ka thënë Hansi Flick.
PËr 61-vjeçarin, vlen të theksohet se në kontratën e re ekziston dhe një "bonus" për të zgjatur qëndrimin deri në vitin 2029, por duke njohur natyrën e tij strikte, gjithçka do t’i mbetet kohës.
