
Marash Kumbulla ka folur pas sfidës Espanyol – Getafe, e cila përfundoi me rezultatin 1-0. Ishte pikërisht goli i mbrojtësit shqiptar, i cili i dha fitoren Espanyolit, duke e afruar kështu me mbijetesën.
Në përfundim të këtij dueli Kumbulla u shpreh mjaft i lumtur. Ai thotë se janë tifozët ata që i motivojnë, teksa shprehet se misioni ende nuk ka mbaruar, pasi mbijetesa nuk është siguruar.
“Jemi shumë të lumtur. Ishte një ndeshje shumë e vështirë kundër një kundërshtari të fortë. Luajtëm shumë mirë. Jam i lumtur që shënova dhe për më tepër për fitoren. Këta tifozë na shtyjnë gjithmonë, na japin shumë mbështetje. Jemi një ekip shumë i fortë në shtëpi. Është një fitore shumë e rëndësishme, por nuk dua të flas deri sa (mbijetesa) jonë të jetë arritur matematikisht”, tha Kumbulla.
Kujtojmë se Espanyol mban vendin e 12-të në tabelën e renditjes në LaLiga. Klubi nga Barcelona është 9 pikë larg “zonës së ftohtë”, teksa kanë mbetur edhe 7 javë të tjera për t’u luajtur.