Cikli i Xabi Alonsos te Real Madrid nuk zgjati më shumë se 6 muaj e gjysmë, pas humbjes në Superkupën e Spanjës përballë Barcelonës në janar të këtij viti.
Trajneri u shkarkua nga mbretërorët, me justifikimin se nuk ia doli dot të menaxhonte siç duhej një organikë prej yjesh në skuadër, teksa dhe faktori kampionat ndikoi jo pak në fatin e spanjollit pasi vetëm në Champios League mundi të kishte progres.
Së fundmi, një gazetar i quajtur Paco Gonzalez ka zbuluar një tjetër prapaskenë, ndryshe nga ajo çfarë është përfolur për muaj me radhë për shkakun që solli dhe fundin e kapitullit të Alonsos tek ish-klubi i tij.
E gjitha ka nisur në muajin e parë të trajnerit në krye të skuadrës, kur asokohe Reali luante ndeshjet për Kupën e Botës për Klube verën e kaluar. Bëhet fjalë për Vinicius Junior, sulmuesi me të cilin Alonso e pati shumë të vështirë që të krijonte një marrëdhënie besimi të mirë dhe të rregullt.
Lënia e tij në stol “prishi” në njëfarë mënyre ekuilibrat duke bërë që mes trajnerit dhe lojtarit të ekzistojë një përçarje e dukshme dhe kjo përballje brenda klanit solli dhe animin e Real Madrid për të hequr Alonson dhe i qëndruar në krah brazilianit Vinicius, i cili ka ndryshuar qasje me Alvaro Arbeloan në stol.
