Al Hilal vazhdon të jetë ekipi pa pika të dobëta në Arabinë Saudite. Ekipi i Jorge Jesus arriti të mposhtë një nga kundërshtarët më të mirë në ligë si Al Ahli.
Kampionët në fuqi po tregojnë se nuk njohin kundërshtar edhe këtë sezon. Skuadra e trajnerit portugez kryeson kampionatin dhe nuk ka ndërmend t’ia lëri stafetën ndonjë rivali.
Kjo ka bërë që Al Nassr, skuadra e yllit portugez, CR7 të mendojë që tani për goditjet e merkatos së dimrit. Ekipi nga Riadi do të tentojë përsëri të bëjë për vete Kevin de Bruyne.
33 vjeçarit i skadon kontrata në qershor të këtij viti, por skuadra e Piolit do të tentojë më herët për të rivalizuar sado pak “të pamposhturit” e Al Hilal.
Oferta po përgatitet që tani dhe duket se është faraonike. Bëhet fjalë për 1 milione euro në javë, një shifër marramendëse. Çdo lojtar do të tërhiqej nga një ofertë e tillë joshëse, aq më tepër një yll si belgu.
Mbetet për t’u parë nëse lojtari i Cityt do të ndërrojë mendje kësaj radhe dhe do të vendos të përjetojë aventurën e re arabe.