
Gerti Çarçani, pas më shumë se një dekade në drejtimin e emisionit "Ora Skaner" më parë i titulluar "Skaner Kampionat", sot është i ftuar në panelin e studios, ku është prezent edhe presidenti i Kukësit, Safet Gjici.
Ky i fundit ka deklaruar se, nëse Kukësi fiton kampionatin, ai së bashku me skuadrën do të ecë në këmbë nga tuneli i Kalimashit deri në hyrje të qytetit verilindor.
Në lidhje me këtë "bast", Safet Gjici është ngacmuar nga moderatorja e "Ora Skaner", Viola Spiro, nëse presidenti i Kukësit po stërvitet pak për këtë premtim që ka bërë.
Numri 1 i klubit verilindor u shpreh në formë batute: "Të kalojmë njëherë fazën e tretë të kampionatit dhe më pas do të filloj stërvitijen. Jemi të bindur se do ta kalojmë edhe atë rrugë deri në Kukës me sukses".
Por, në këtë moment ndërhyri Gerti Çarçani, i cili së fundmi ka marrë postin e Drejtorit në Departamentin e Medias dhe Marrëdhënieve me Publikun në FSHF, i cili "ngacmoi" Gjicin duke i thënë: "Edhe rruga e Korçës është e bukur". Batutën nuk e la pas edhe presidenti i Kukësit që u shpreh: "Rruga e Korçës është e thepisur".