Ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmë në Don Bosko tronditi kryeqytetin. Nga atentati mafioz mbeti i vrarë një person, ndërsa u plagosën 5 të tjerë. Edhe pse nga policia nuk ka një informacion zyrtar se kush ka qenë objektivi, në medie flitet se është një hakmarrje mes grupeve rivale. Në shënjestër ka qenë Fatjon Murati, i cili kishte masë sigurie arrest shtëpie nga Gjykata e Tiranës. Por, në momentin e atentatit ai nuk ka qenë në lokalin që ishte pronë e tij.
Po kush është Murati? Në botën e sportit e njohin mirë djaloshin nga Kukësi. Ai ka qenë boksier profesionist. Madje ka garuar për titullin kampion bote në Federatën IBF Junior kundër Francesco Versaçit.
Asokohe ai jetonte në Gjermani dhe në atë përballje do të shkonte pa asnjë humbje. Murati ka nisur karrierën si boksier profesionist në vitin 2008 në Mynih të Gjermanisë. Fillimet e veta i ka pasur në Shqipëri, ku kishte rënë në sy për talentin e tij në këtë sport. Pas Luan Krasniqit dhe Nuri Seferit, Murati ishte boksieri i tretë shqiptar që ndeshej për një titull aq të rëndësishëm.
Karrierën e tij në këtë sport nuk e vijoi për shumë vite. Ndërkohë në vendin tonë u përmend vitin e shkuar në atentantin mafioz të ndodhur në mbikalimin e Fushë Krujës ku mbetën të vrarë 3 persona. Prokuroria dhe Gjykata nuk arritën të provonin fajin e ish boksierit, megjithatë ai u ndalua për armëmbajtje pa leje, ku vuante dhe masën e sigurisë arrest shtëpie.