Juventus fitoi dje 4-1 ndaj Udineses në Allianz Stadium. Pas ndeshjes, trajneri Andrea Pirlo u shpreh se nuk ishte Juventusi më i mirë në fushë, duke kërkuar më shumë nga të tijtë. Italiani u ndal te e ardhmja e Dybala si dhe përmendi Giroud si një përforcim të mundshëm.
“Nuk ishte Juventusi më i mirë në fushë, por vinim nga një humbje e keqe ndaj Fiorentinës, kështu që në minutat e para ishim të ndrojtur dhe nervoz. Ishim shumë në vështirësi kur sulmuesit e tyre vinin në gjysmëfushën tonë, por fituam më tepër besim me kalimin e minutave. E dinim që Udinese do të na priste mbrapa dhe do të përpiqej të gjente golin përmes kundërsulmeve, por falë golit të parë ia arritëm t’i parandalonim ata.
Merkato? Ne tashmë kemi diskutuar me klubin se çfarë duam të bëjmë dhe nëse ka ndonjë mundësi. Shpresojmë të bëjmë diçka gjatë ditëve në vijim. Giroud? Ai do të ishte i dobishëm.
E ardhmja e Dybala? Ne kemi nevojë për të ashtu siç ka ai për ne. Paulo punoi shumë mirë gjatë javës në stërvitje dhe të gjithë e pamë se ishte në gjendje shumë më të mirë fizike. Kjo është arsyeja se pse luajti 90 minuta të plota dhe shpresonim që të gjente dhe rrugën e rrjetës”, tha Pirlo.