
Italia arriti të fitonte mbrëmë bindshëm me rezultatin 3-0 kundër Zvicrës, në një ndeshje të dominuar totalisht nga "Axurrët". Skuadra e Mancinit ishte spektakolare në çdo aspekt e kësisoj kritikat për zviceranët nuk mungojnë.
Enver Robelli, një analist i njohur, "masakron" shqiptarët e kombëtares së Zvicrës për performancën e dobët kundër Italisë. Sipas tij, ajo që lojtarët zviceranë dijnë më së miri të bëjnë, është pëfaqësimi i luksit në jetën e tyre.
"Nuk është problem që humbi Zvicra nga Italia, por si humbi!
Së paku jashtë stadiumit Granit Xhaka po «shkëlqen»: i ka lyer e ngjyer flokët dhe tani në mediat zvicerane, jo pa shpoti, përshkruhet si bjondinë. Floktarin, pra mjeshtrin e qimeve, e kanë sjellë me gjasë me avion nga Zvicra në Romë që të merret me madhështinë leshtore të yjeve të futbollit. (Krahas Xhakës edhe Akanxhi është lyer e ngjyer bjond).
Një ditë tjetër Xhaka i ka treguar botës se emrin e vajzës së tij e ka përjetësuar me tatuazh. Shumë mirë! Kur kishte shumë kohë (së paku para ndeshjes me Italinë) Xhaka nuk ngurronte të fliste për ëndrra të mëdha, madje edhe për mrekulli që mund të arrijë ekipi nacional zviceran. Pas humbjes 3 me 0 nga Italia, Xherdan Shaqiri tha se Zvicra ka marrë dy gola më tepër, pra kjo i bie: po të humbte 1:0 ndaj Italisë, gjithçka në rregull. Me këso deklaratash shpotia e mediave zvicerane është e garantuar.
Sepse: problem nuk është disfata, fundja Italia është një ligë tjetër në krahasim me Zvicrën, problem është mënyra se si futbollistët e Zvicrës (e sidomos Shaqiri) përpiqen të zbukurojnë dështimin e tyre. Së paku Xhaka u mundua të jetë paksa i sinqertë, kur tha se në përballjen me Italinë kishte futbollistë zviceranë që nuk e deshën topin. Por kjo vlen edhe për të. Ai është kapiten, por autoriteti i tij nuk po vërehet, andaj edhe kritikat janë shtuar ndaj tij - dhe ndaj trajnerit Petkoviq.
Me rëndësi: shumica e futbollistëve të Zvicrës defilojnë me Lamborghini dhe Ferrari. Këtu s'ka vend xhelozia sociale e publikut. Këtu problemi qëndron te atituda arrogante e lojtarëve. Shumë fjalë e gjeste jashtë fushës, pak angazhim në fushë. Kur s'bie në sy me gola, bie në sy me lesh. Bjond", shkruhet në postimin e Robellit.