
Skuadra e Vllaznisë ka kryer seancën e radhës stërvitore. Grupi nuk ka qenë i plotë, si shkak i mungesave të shumta në kampin shkodran. Lojtarët e vënë në dispozicion të trajnerit Armando Cungu kanë zhvillua një seancë të lehtë të karakterit fizik, për të aplikuar më pas stërvitjen taktiko-teknike.
Ndërkohë që nën urdhrat e stafit teknik nuk janë vënë dot dy sulmuesit, Eraldo Çinari dhe Brunild Pepa. Shkodrani ka një problem në njërin prej gishtave të këmbës, që nuk e lejon atë të stërvitet prej ditësh, ndërsa Pepa ka një problem në kofshë që e ka detyruar të ulë ritmin e përgatitjeve dhe të punojë i diferencuar. Ndërkohë nën urdhrat e trajnerit Cungu nuk kanë qenë të pranishëm dy prej lojtarëve në provë, mesfushori Senad Leka dhe Adi Zaha. Zyrtarisht klubi shkodran nuk bën me dije nëse ata do të jenë më në provë apo jo, por gjasat janë që të jenë larguar, por gjithçka mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim.