
E nisi futbollin si çdo fëmijë me pasionin për të qenë një ditë në fushën e profesionistëve. Ia arriti, por vetëm për pak kohë. Një aksident automobilistik do t'i priste në mes karrierën duke i "ngrirë" ëndrrat. Ilir Xhengo qëndroi për 100 ditë në gjendje kome. Pikërisht në momentin kur duhej të shpërthente në fushë, asokohe në moshën 17-vjeçare, Xhengo e pa veten të paralizuar.
U deshën shumë ditë, fizioterapi intensive dhe ai u ngrit në këmbë. Por, jo siç ishte dikur në fushë me top. Prej asaj kohe ai nuk punon, por janë kujdesur prindërit e tij tashmë të moshuar. Xhengos i duhet një punë për të mbijetuar. Historia e tij është mjaft prekëse. Në fjalën e tij për "albania quality journalist", ish-lojtari i Partizanit shprehet:
"Me 26 maj 1993 mendoja vetëm për familjen. Pas aksidentit kam qëndruar në gjendje kome 100 ditë. Unë trajtohem si invalid i grupit të dytë. Marr 8500 lek në muaj, nuk ia vlen fare. Kam mbaruar Akademinë e Fiskulturës. Prindërit i kam në moshë të thyer, po kur ata të mos jenë, kush do kujdeset për mua?"