Mbrojtësi i djathtë Abdurraman Fangaj, ka njoftuar se ka vendosur të largohet nga Egnatia, pas 4 vitesh me skuadrën rrogozhinase.
28-vjeçari shkodran e ka zbuluar vendimin në rrjetet sociale. “Erdha kur shumë pak besonin te ky projekt dhe akoma më pak te unë. Pas 4 vitesh sakrificë, lodhje, mundim, dashuri dhe pafund emocionesh, largohem me kokën lart dhe më krenar e më i lumtur se kurrë.
Pas 4 vitesh largohem si disa herë kampion, kampion i Shqipërisë, kampion i Egnatias dhe kampion i të gjithë atyre që më kanë mbështetur.
Ju jam mirënjohës të gjithë atyre që më kanë qëndruar pranë nga dita e parë deri në ditën e fundit. Falëminderit nga zemra”, ka shkruan Fangaj.
Protagonisti në fjalë ka fituar gjithçka me Egnatian, 3 tituj kampion në Superiore, 3 Kupa të Shqipërisë dhe 1 Superkupë vendase, ndërsa konsiderohej “xhol” në prapavijë, pasi mbulonte disa role . Në postimin e Fangaj, e ka pëlqyer edhe ish-trajneri i kampionëve, Edlir Tetova.
