Sulmuesi Soumaila Bakayoko po udhëheq Egnatian në titullin e 3-të radhazi, Superiore. Në ndeshjen e parë të fazës Final Four kundër Elbasanit, e fituar 4 – 0 nga rrogozhinasit, “pyka” afrikane shënoi dopietë, protagonist absolut. Para sfidës me Vllazninë, Bakayoko ka folur për kanalin zyrtar të FSHF-së:
“Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Pas humbjes në finalen e Kupës, ajo që është pozitive është se shokët e skuadrës mbetën të përqendruar.
Siç e thashë, kemi humbur finalen por e kemi lënë atë humbje pas krahëve dhe u përqendruam te tre ndeshjet që vinin pas, pasi tre ndeshjet e radhës ishin si një finale për ne. Ndaj çdo ndeshje është si një finale, do bëjmë maksimumin dhe në fund do të shohim atë që do të na dhurojnë.
Ekipi është me të vërtetë në maksimum nga ana psikologjike dhe me stërvitje e kohezionin, gjërat bëhen edhe më mirë. Në sfidën e kaluar morëm një karton të kuq që e ka penalizuar ekipin dhe luajtëm në inferioritet numerik.
Të them të drejtën nuk ishte e lehtë, por ata luftuan si mundën. Me 11 kundër 11, jemi më të fortë. Të tre ndeshjet janë si një finale për ne. Kemi fituar 'trofeun' e parë që ishte Elbasani, tani e ka radhën ndeshja e dytë që është Vllaznia, për ne është si një finale.
Do luajmë dhe në fund të shohim si do të shkojmë. Do të japim gjithçka si me Elbasanin, 100% dhe në fund të 90 minutave do të shohim se çfarë rezultati do të marrim. Por ne fokusohemi tek objektivi që është të jemi për herë të tretë radhazi kampion të Shqipërisë”.
