Tek Vllaznia “jeton” ende ambicia për të sjellë titullin në Shkodër, trofe që ende mungon në “palmarin” e klubit që prej sezonit 2000-2001.
Saktësisht 25 vite pa provuar shijen e të qënit kampion, diçka që reflekon dhe “nxitimin” e shkodranëve, sepse rezultatet tregojnë se “djemtë” e trajnerit Edi Martinit po përjetojnë një “bllokim” psikologjik.
Situata në kampin kuqeblu nuk është aspak e qetë, sidomos pas humbjes së fundit përballë Egnatias që përmes rezultatin 0-2 në “Air Albania” ka shkelur gazin drejt trofeut më të lakmuar në futbollin shqiptar.
Shkodranët duhet të hedhin pas krahëve këtë moment negativ, gjithnjë nëse “iu dhimbset” i gjithë sezoni i rregullt të cilin e mbyllën me 63 pikë. Kjo për të mos “hedhur në erë” ëndrrën e shumë tifozëve që nuk i kursyen aspak kilometrat për të mbështetur skuadrën e tyre, si dhe krenarinë për t’i kthyer lavdinë një qyteti që vazhdon të presë.. e të presë pambarimisht.
