
2 javë nga fundit dhe shumë punë për Tiranën. Sfida ndaj Vllaznisë është “finalja” e parafundit e bardhebluve për objektivin “Final – Four”. Aktualisht ndodhen në vendin e 6-të me 1 pikë larg vendit të 4 dhe për fatin e keq asgjë më nuk është në dorën e tyre pasi Dinamo dhe Skënderbeu ndodhen sipër tyre.
Në “Air Albania” do të luajnë Klasiken e Shqipërisë, ku vetëm 3 pikët janë zgjidhja e vetëm për kryeqytetasit, për të shpresuar më pas te një ndalesë e rivalëve. Në konferencën për shtyp, Erbim Fagu do të analizonte duelin me shkodranët. Timonieri i bardhebluve nënvizoi se skuadra ka shanset e saj për “Final – Four” dhe se do të bëjnë maksimumin për të arritur objektivin.
“Ndeshje e vështirë duke parë edhe pozitat në klasifikim, si të Vllaznisë por edhe tonat. Patjetër do të jetë ndeshje e vështirë për tu luajtur por nuk kemi zgjidhje tjetër përveç se 3 pikëve, bëjmë maksimumin për të shkuar drejt objektivit që kemi.
Mungesat sigurisht pasi dy lojtarë si Jonuzi dhe Lushkja janë dy lojtarë me peshë ndeshja nuk shkoi ashtu si duhet por edhe për shkak të presionit se na duhej fitorja. Por kështu është futbolli dhe tashmë e kemi lënë pas duke u fokusuar tek Vllaznia dhe mendojmë për të marrë 3 pikët. Nuk duhet të frikësohemi pasi edhe dy ndeshje janë, llogaritë tani pakësohen përveç fitores nuk na bën punë asgjë tjetër.
Historia ka treguar që janë gjithmonë ndeshje speciale Vllaznia-Tirana, por duke parë pozitat entuziasti do të jetë i njëjti, nuk na intereson pjesa e Vllaznisë duhet të shohim veten tonë, duhet të marrim maksimumin për të arritur në “Final 4″. Ne shanset i kemi duke fituar ndeshjet tona, e rëndësishme është të marrim 3 pikët me Vllazninë dhe të shohim në vazhdim. Najdovski e ka mbyllur sezonin, Latifi është kthyer në stërvitje me grupin, Lulaj nuk do të jetë për shkak kartonësh, pjesa tjetër është e gatshme”, deklaroi Fagu.