Elbasani do të përballet me Dinamon, në ndeshjen e raundit të dytë për Final Four. Sfida e planifikuar për t'u zhvilluar të dielën në stadiumin "Air Albania" do të luhet në orën 19:00.
Prag këtij dueli delikat, ka folur trajneri i verdhebluve, Ivan Gvozdenovic.
“Nesër kemi një ndeshje të dytë në Final Four. Përballë kemi Dinamon. Dinamo deri më tani ka një moment të mirë, një formë të mirë, por kjo është një motiv plus për ne dhe një shans tjetër për ne dhe jemi gati për nesër.
Humbja e thellë me Egnatian, keni menduar të ndryshoni diçka në formacion? Kemi menduar për çdo gjë, por ne kemi punuar shumë nga ana psikologjike sepse ishte një ndeshje e dobët, por pranë ne jemi një skuadër shumë e mirë dhe kemi një grup shumë të fortë dhe sezoni për ne është shumë i suksesshëm.
Domethënë nuk kemi nevojë të rrimë shumë të mërzitur, patjetër ne kemi bërë kritikë për ndeshjen e fundit dhe unë e pranova, Egnatia ishte skuadra më e mirë. Por futbolli prandaj është i bukur se gjithmonë ka një shans tjetër dhe nesër për ne një shans tjetër dhe ne jemi gati do të reagojmë.
Në javët e fundit, presion i madh? Tani kjo është për një analizë të gjatë. Nuk mund të them tani shkurt. Jo presion, sepse presioni për ne ishte gjithë sezonit, pra nga java e parë e deri në javën e 36-të. Ndoshta tani kemi më pak përqëndrim, ishim ndoshta në gjumë sepse ne kemi arritur objektivin e parë si Europa. Ndoshta kjo ishte një problem pak i vogël për ne, por prapë të them të drejtën nuk mund të flasim shumë sepse pas kampionatit mund të bëjmë një analizë të saktë.
Lulaj dhe Janacek? Kemi nevojë për çdo lojtarë. Bruno është kapiten, kemi nevojë për të. Do rrijë afër me ne dhe patjetër do fillojë në fushë bashkë me Janacek. Tani do shohim, sot kemi një stërvitje të fundit dhe do të diskutojmë bashkë me stafin dhe pastaj do vendosim por kemi një një shans. Ndoshta do aktivizojmë dhe Lulaj dhe Janacek", është shprehur Gvozdenovic.
