
Partizani vijon përgatitjet intensive në fazën përgatitore para nisjes së aventurës europiane. Të kuqtë do të përballen me maltezët e Marsaxlokk më 11 korrik në shtëpi, sfidë e vlefshme për raundin e parë kualifikues të Conference League.
Nën drejtimin e trajnerit Orges Shehi ekipi ka zhvilluar seancat stërvitore sipas programit, ndërsa drejtuesit punojnë për përforcimin e organikës. Kërkesë primare e tekniku durrsak është afrimi i një sulmuesi anësor dhe drejtuesit i sollën Agim Zekën.
Sulmuesi 25-vjeçar nuk është ende në gjendjen optimale dhe Shehi ka ftuar 4 lojtarë nga akademia. Nga këta, Oresti Rifa ka impresionuar më së shumti trajnerin që është befasuar nga cilësitë e tij. 17-vjeçari ka fituar me shpejtësi kuotat si një kandidat potencial për fanellën e titullarit në sfidën e parë në rast se Zeka nuk ia del të jetë gati.
Rifa është pjesë e akademisë së Partizanit dhe një element i rëndësishëm i ekipeve U17 & U19. Këtë sezon ai pritet të stërvitet me ekipin e parë dhe do të ketë shansin e tij të debutojë në futbollin profesionistë.