Superiorja ka hyrë në një fazë mjaft interesante dhe të luftuar, ku Vllaznia dhe Elbasani bashkëkryesojnë me 24 pikë pas 12 javësh kampionat. Duele majft të zjarrta në kampionat, me shkodranët që prej javësh ndodhen në krye të tabelës, duke treguar se do të jenë pretendenti kryesorë për të fituar titullin kampion.
Nga shumëkush cilësohet si viti i shkodranëve dhe momenti që kuqeblutë të rikthehen te titulli kampion. Të njëjtën mendim ndan edhe menaxheri i njohur, Arbi Laçi.
Ish-drejtori i Tiranës në një deklaratë të shkurtër për “Veriu Sport” ka theksuar se ky është viti i Vllaznisë. Laçi ka "skanuar" kështu Superioren, ndërsa ekipet që do të konkurojnë Vllazninë shikon Elbasanin, Egnatian dhe Dinamon.
“Partizani në zonën e ftohtë dhe Vllaznia kryesuese e kampionatit? Të jem i vërtetë, Vllaznia është ekipi më i bukur i këtij sezoni. Është një skuadër që sulmon, një skuadër agresive, gjë e cila mua më pëlqen. Është një skuadër që të argëton dhe kam përshtypjen se do të jetë viti i Vllaznisë.
Vllaznia bashkëkryesuese me Elbasanin? Kampionati është shumë i gjatë, do të kemi ulje –ngritje është shumë normale. Patjetër që do të ketë rrotacion mes Elbasanit, Vllaznia, Egnatias dhe ndoshta edhe Dinamos, që nuk e përjashton nga gara për titull. E përmenda jo më kot kur thash se Vllaznia është skuadra argëtuese, ka kontigjent të mirë, sulmon. Duhet të ketë kujdes sa i takon dëmtimeve, diçka që e ka përndjekur në fillim të këtij sezoni. Kam përshtypjen se akoma se kemi parë më të mirën e Vllaznisë. E shikoj një skuadër në kolaudim e sipër dhe do të jenë dominant në pjesën tjeteër të sezonit”, ka deklaruar ish-drejtori sportiv i Tiranës, i cili me bardheblutë është shpallur edhe kampion.
