Ekipi i Partizanit nuk shkoi dot më shumë se barazimi 1 – 1 kundër Vllaznisë në “Arenën e Demave”, java e 12-të në Superiore. Goli i Toma nuk mjaftoi që “Demat e Kuq” të merrnin fitoren, kjo edhe për “fajin” e mesfushorit me tipare defensive Adnard Mehmeti.
Në minutën e 59, pikërisht Mehmeti nuk lufton për të larguar topin në hyrje të zonës, ndërsa lejon që sulmuesi i Vllaznisë Esat Mala ta dërgonte topin në rrjetë dhe të barazonte shifrat. Mehemeti i kushtoi klubit të Partizanit në vitin 2023 plotë 100 mijë euro, i blerë nga Erzeni.
Ja çfarë thoshte ish-trajneri i klubit shijakas Alfred Deliallisi në 24 shtator të 2023, teksa ndodhej i ftuar në emisionin “Ora Sport” në Ora News:
“Mehmeti është lojtari im i preferuar. Unë e kam suportuar edhe vjet. Për mua nuk është rastësi që ai luan në atë lloj niveli, pasi potenciali i tij është i jashtëzakonshëm. Mendoj që nuk e ka të gjatë te Partizani. Në verë do të jetë goditja, do të shitet shumë shpejt.
A është më i mirë se Matondo? Absolutisht që po. Mendoj që ai lloj futbollisti nuk ka limite. Unë e njoh shumë mirë. Është lojtar i fortë, fiton duelet. Lojën në ajër e ka shumë të fotë. Ka një cilësi që nuk e kanë shumë lojtarë shqiptarë. Ai në momentin që ndërhyn, nuk ndërhyn për ta hequr topin. Por ai ndërhyn dhe ta merr topin dhe e nis aksionin shumë shpejt”.
