
Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë FSHF i mbylli merkaton për 3 sesionet e ardhshme Tiranës, Dinamos e Laçit pas vendimeve të ditës së djeshme. Klubet ishin paralajmëruar më parë dhe dështimi në përmbushjen e detyrimeve sërish ka sjellë këtë dënim ekstrem.
5 janë lojtarët që kanë lënë në ‘ajër’ të tre klubet e Superiores dhe bëhet fjalë për tarifa trajnimi gjatë kohës kur luanin nëpër akademitë respektive.
Tirana – Bardheblutë kanë humbur gjyqin me akademinë “Studenti” për mesfushorin Hajrullah Tola ku i riu ka luajtur deri në vitin 2020. Nga ky gjyq i humbur, kryeqytetasit duhet të pagujanë rreth 20 milionë lek të vjetra.
Dinamo City – Blutë e kanë pësuar nga klubi i Teutës që ka fituar gjyqin për dy lojtarë, portierin Rajan Guçi dhe sulmuesin Dejvi Duro dhe duhet të kompensohet me rreth 22 milionë lekë të vjetra.
Laçi – Kurbinasit janë ata që kanë dëmin më të madh financiar. Bardhezinjtë kanë humbur gjyqin për dy lojtarë, Olsi Myrtën dhe Arlind Kurtin. Dyshja e talentuar u afrua nga Apolonia të cilët duhet të kompensohen me rreth 62 milionë lekë të vjetër.