Sokol Cikalleshi te Flamurtari! Ky është lajmi i bujshëm që vjen ditën e sotme nga Vlora. Një goditje “big” kjo për vlonjatët në prag të hapjes së merkatos së janarit.
Sipas “6+1 Vlora TV” bëhet me dije se sulmuesi shqiptar dhe presidenti i Flamurtarit, Sinani Idrizi prej më shumë se 3 orësh janë “kokë më kokë” me njëri-tjetrin për një rikthim në Superiore, me makinën e Cikalleshit që ndodhet para stadiumit "Flamurtari".
Kavajasi aktualisht është pa skuadër që prej largimit të tij nga Adanaspor në Turqi në korrik të këtij viti. Siç duket, ish-i i Kombëtares shqiptare është shumë afër një aventure të re në Shqipëri te skuadra e Flamurtarit.
Nëse palët dakortësohen mes tyre, atëherë rikthimi i Cikalleshit do të “trembte” rivalët e Flamurtarit. Këto të fundit sigurisht do të siguronin repartin e avancuar dhe golat për të bërë të mundur më pas edhe qëndrimin në Superiore. Aktualisht janë të parafundit në renditje me 14 pikë, ndërkohë ditën e sotme do të luajnë në transfertë ndaj Vllaznisë në kuadër të javës së 18-të të Superiores. Duel që do të startojë në orën 16:30.
