Tirana luajti dje kundër Partizanit, ndeshje që përfundoi me rezultatin e bardhë 0-0. Megjithatë polemikat e prodhuara pas sfidës vijojnë edhe ditën e sotme, teksa tifozët, por edhe presidenti Refik Halili kishte dyshime për mënyrën se si ishte anuluar goli i Tiranës i cilësuar si offside.
Krosimi i ardhur nga e djathta nga Aldi Gjumsi bëri që Sembene të çonte golin në rrjetë në favor të Tiranës. Pikërisht në këtë moment ndërhyri VAR-i duke kthyer gjithçka pas. Goli u anulua për pozicion jashtë loje. Jarmouni u vlerësua nga teknologjia pak më i avancuar dhe pikërisht për këtë, festa u shua shpejt.
Pamjet e momentit offside janë përhapur me shpejtësi, ku shihet vija e hequr pranë zonës së 16-metërve. Të shumtë janë ata që kanë deklaruar se është e shtrembër dhe ky debat I madh është bërë edhe në Itali para 9 vitesh.
Në studio tregonin dhe ilustronin vijën e offside për gjatë gjithë fushës. Në cepin më të afërt të pamjes ajo duket më e gjerë, ndërsa në fund shihet duke e mbyllur. Kjo konsiderohet si perspektiva në gjeometri dhe sipas shpjegimit të italianëve, vija vetëm në këtë mënyrë është e saktë. Vija e prespektivës është linja që tregon se si objektet e ndryshme dhe dimensionet e tyre shfaqen në raport me një pikë të caktuar shikimi. Ajo krijon efektin e thellësisë dhe hapësirës në një vizatim të sheshtë, duke bërë që objektet të duken më të vogla sa më larg që ndodhen nga shikuesi dhe më të mëdha afër tij.