
Presidenti i klubit të Apolonisë, Koço Kokëdhima ishte një nga protagonistët në ndeshjen e futbollit të femrave përballë Gramshit ditën e djeshme. Duke mos qenë dakord me vendimet e arbitrit, Kokëdhima u fut në fushën e lojës duke protestuar. Madje, ai shtyu arbitrin e ndeshjes duke mos mbajtur dot nervat.
Pikërisht për këtë çështje, presidenti i klubit të Apolonisë dhe ish-gjyqtari, Lorenc Jemini janë përplasur me njëri-tjetrin në një debat të zhvilluar në “ShqipëriaLive” në Top Channel. Debati eskaloi në ofendime, teksa Kokëdhima e quan edhe Jeminin të paguar, madje duke i përmendur edhe sa herë është dhunuar ai në kohën kur ishte arbitër në futbollin shqiptar.
Kokëdhima: Përpara se të vija unë president aty, ju nuk guxonit të vinit, se ju vendosnin koburet në kokë. Unë e kam kthyer Apoloninë një ekip që respekton çdo ekip dhe çdo gjyqtar.
Jemini: Nga momenti që Kokëdhima thotë që mban përgjegjësi për veprimet që ka bërë, këtu mbaron. Unë them që nuk i shkon vetëm për emrin që ka. Imagjino çfarë mund të ndodhë në fushat më të ashpra. Nëse një ndeshje ndërpritet 25 minuta…
Kokëdhima: E di pse u ndërpre?
Jemini: Se nuk ka pasur forca policie.
Kokëdhima: Nuk është e vërtet. Ka pasur forca policie. Arbitri tha se ishte i frikësuar dhe kërkonte forca shtesë. Për çfarë nuk i mjaftonin policët atij?
Jemini: Për sa kohë e keni kërcënuar, atëherë normal që ai do kërkonte forca shtesë.
Kokëdhima: Je i turpshëm. Je një racë me ta. Je i paguar në këto qëndrime. Kur them që këto janë struktura kriminale.
Jemini: Ti nuk mban etikë këtu, e jo më në fushë.
Kokëdhima: Ti je dhunuar në fushë. Të kanë rrahur e më tregon mua.