
Derbi i kryeqytetit dhuroi emocione të mëdha. Në fund, fitues mes Tiranës dhe Partizanit ishin bardheblutë, të cilët duhet t'i falen një penalltie (1-0). Gjithçka u vendos në shtesën e pjesës së parë, kur 11-metërshi i akorduar për djemtë e Shehit shndërrohet në gol nga Limaj. I ftuar në Sport News në News 24 ishte i mirënjohuri Shpetim Duro. Duro, teksa analizon 90 minutëshin që mbajti në ankth gjithë kryeqytetin shqiptar por jo vetëm, thotë se VAR është një fat i madh. Një minutazh i dedikohet tërësisht Partizanit, ku ai shprehet se drejtuesit e kuq duhet të krijojnë kushte, e më pas të flasin për rezultate.
"VAR është një fat i madh, si të gjithë e kam vuajtur në kurriz si trajner në karrierë kur nuk kishte. Është pozitive që ka hyrë VAR-i. Kur ishim trajnerë më parë mendonim që të hënën kush arbitër do të jetë. VAR-i ka eliminuar këto, mund të bëhet ndonjë gabim por janë jashtëzakonisht minimale.
Unë nuk mund të ndërhyj tani se ka diskutime. Kishte edhe në Inter-Juventus, edhe aty ishte pak a shumë fotokopje me të Belicës. Është një moment penalltie që arbitri kryesor nuk e akordoi, por pas konsulencës me VAR, normalisht kanë vendosur që ajo është 11-metërsh.
Nuk di të them më shumë por kam parasysh që edhe ne kemi bërë gabime në momente emocionale, është e vështirë pas derbit të kontrollosh veten. Por unë i referohem trajnerit të Partizanit që pak a shumë i vuri fajin Belicës. Kjo tregon që ka diçka reale për sa i përket dhënies së 11-metërshit
Kjo ndeshje kam mendimin që nga mënyra se si u zhvillua, me pak raste me luftë në mesin e fushës, kam mendimin se kështu do të shkonte, se nuk pati cilësi loje.
Situata e Partizanit? - Unë kam mendim që këta drejtues si zoti Rama e njëkohësisht presidenti Demi kanë investuar, kanë sjellë shumë futbolliste dhe normalisht puna e drejtuesve në këtë moment përfundon. Aty pastaj është përgjegjësi e hallkave të tjera. Unë them dhe e kam përmendur disa herë, që Partizani ka shumë futbollistë, shumë lojtarë dhe këta kanë ardhur me kosto të lartë financiare.
Se si kanë ardhur, me apo pa dijeninë e trajnerit, janë probleme të tjera. Unë di që para kampionatit janë dy goditje të bujshme. Është Kaçe, një element kombëtareje që ka ardhur me kosto të lartë dhe Filipoviç. E di që ai ka ardhur me kosto, por nuk përmbush asgjë. Se kush ka ardhur e si, nuk e di, se jam i jashtëm. Por problemet e drejtuesve janë të krijojnë kushte dhe pastaj duan rezultate" - tha ai.