
Krijimi i Superligës Evropiane është kthyer në një temë shumë të nxehtë në të gjithë botën. Gjykata Europiane e Drejtësisë i hapi rrugë krijimit të Superligës, duke dalë kundër monopolit të UEFA-s dhe FIFA-s.
Reagimet pro dhe kundër janë të shumta, teksa tashmë ka ardhur edhe nga shefi ekzekutiv i Superligës Evropiane. Bernd Reichart ka theksuar se klubet po kërcënohen nga UEFA që të mos e mbështesin publikisht projektin.
Nga klubet që fillimisht e mbështetën projektin në vitin 2021, Real Madrid dhe Barcelona janë dy të vetmet që kanë dalë në mbështetje këtë herë.
“Ky propozim i fundit i Superligës ka dalë në dritë me kontributin e shumë klubeve, ne kemi folur me shumë klube muajt e fundit. Por këto klube kanë frikë të shfaqen publikisht për shkak të kërcënimeve. Shumë klube e mbështesin projektin. Klubet kanë qenë nën një monopol për 70 vjet, një diktaturë me grusht të hekurt, duhet të ndryshojmë çipin, është normale që disa të zgjasin më shumë dhe të tjerë më pak, por është një mundësi e shkëlqyer që klubet të menaxhojnë të ardhmen e tyre”, ka theksuar.