
Kombëtarja shqiptare ka koleksionuar humbjen e dytë në turnet "Mercedes Benz Cup 2019". Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Elvin Beqiri nuk kanë mundur të marrin një rezultat pozitiv teksa janë mposhtur me rezultatin 3-1.
Lajmi është bërë i ditur nga Federata Shqiptare e Futbollit, përmes një njoftimi në kanalin zyrtar ku thuhej:
"Kombëtarja shqiptare e futbollit U-17 e drejtuar nga Elvin Beqiri, ka humbur sot ndeshjen e dytë të turneut Mercedes Benz Cup 2019 ndaj përfaqësueses U-17 të Turqisë, me vendin organizator që ka triumfuar 3-1 përballë kuqezinjve.
Shqipëria U-17 zbriti në fushën e lojës me këtë formacion: Roko; Pjeshka; Preka; Tajari; Abazaj; M.Dervishi; Papa; Mitaj; Pengu; K.Dervishi; Miftiu. Në pjesën e parë është luajtur një futboll i hapur, duke u shënuar 3 gola, me Turqinë që kaloi në avantazh në minutën e 3-të me anë të Caglar. Në minutën e 38-të kuqezinjtë ishin të pafat me Pengun që shënon një autogol.
Reagimi vjen menjëherë dhe në fundin e pjesës së parë, në minutën e 40-të, kapiteni Mitaj shënon nga penalltia. Me rezultatin 2-1 për Turqinë skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes. Pjesa e dytë fillon me gol për Turqinë që dërgon shifrat në 3-1 me anë të Bayram, me rezultatin që nuk ndryshoj deri në fund përtej rasteve të të dy skuadrave.
Turneu i kuqezinjve mbyllet në datë 17 Janar, në orën 15:00, me ndeshjen që do të luajnë përballë moshatarëve të tyre nga Moldavia".