
Tirana do të luajë nesër kundër Zrinjskit në transfertë, ndeshje e vlefshme për turin e dytë të Conference League. Trajneri Orges Shehi ende s'e ka vendosur për formacionin titullar, teksa dilemat janë të shumta. Kristjan Tozhevski s'duket në formën e tij më të mirë dhe nga minuta mund ta nisë edhe afrimi i verës, Hysein.
Megjithatë afrikani është bashkuar vetëm para disa ditësh me bardheblutë dhe kjo i jep pasiguri teknikut bardheblu. Sakaq edhe në mesfushë s'është përcaktuar ende nëse do të luajë Totre apo Qefalija. Ky i fundit po merr ngarkesën e duhur me ekipin, por dëmtimi në sfidën e parë, ka shkaktuar jo pak probleme për stafin teknik.
Ndërkaq e njëjta pasiguri është edhe për fazën ofensive. Florent Hasani apo Devid De Silva do të jetë titullar? Trajneri Shehi ende s'ka zgjedhur. Ndeshja Zrinjski - Tirana është programuar të zhvillohet nesër në orën 21:00. Kujtojmë që sfida e parë është mbyllur me avantazhin minimal të boshnjakëve, 1-0 në stadiumin "Air Albania".