
Tirana do të luajë të enjten kundër Zrinjskit, ndeshje e vlefshme për turin e dytë të Conference League. Bardheblutë, nëse kalojnë më tej, duhet të bëjnë mirë llogaritë pasi do t’i duhet të udhëtojnë drejt Kazakistanit. Tobol është kundërshtari i turit të tretë për Tiranën, gjithmonë nëse do të arrijë të kualifikohet në Bosnje. Kampionia e Kazakistanit mposhti në të dy përballjet Linkoln Red Imps, përkatësisht 2-0 dhe 1-0.
Kampionët e Shqipërisë do të luajnë të enjten kundër Zrinjskit, ndeshje e kthimit e përcaktuar të zhvillohet në orën 21:00. Në sfidën e parë, kryeqytetasit u mposhtën minimalisht 1-0. Megjithatë optimizmi është i madh për të marrë një rezultat pozitiv në transfertë që do t’i çonte automatikisht në turin e tretë. Nëse arrijnë të kualifikohen, atëherë ndeshjen e parë ndaj kazakëve do ta zhvillojnë pikërisht në Kazakistan.