
Egnatia ia doli të kualifikohej në gjysmëfinale të Kupës sëë Shqipërisë falë fitores 3-0 në transfertë kundër Laçit. Sfida e parë kishte përfunduar 0-0 dhe në këtë mënyrë rrogozhinasit janë ata që shohin më tej.
Në prononcimin e zakonshëm për Oversport ka folur trajneri Edlir Tetova. Tekniku i Egnatias u shpreh i lumtur me atë që skuadra e tij arriti në këtë sfidë. Për gazetarët, Tetova tha:
“Unë e thashë dhe ndeshjen e parë. E pritëm Laçin dhe e goditëm me tranzicion pozitiv. Çdo gjë shkoi siç e kishim përgatitur. Por, mund të ndryshonte gjithçka kur Sherri priti topin në vijën fatale. Në pjesën e dytë pas shënimit të golit të dytë, përgëzoj Kasën për goditjen që bëri, mendoj që çdo gjë kaloi nga ana jonë në minutat në vazhdim. Këto janë ndeshje që zgjidhen me situata. Menduam ta mbanim ekipin të tërhequr. E dinim që ato do të na sulmonim. Çunat ishin në ditë të mirë. Me plot gojën e them që shpëtuam te pritja e Sherrit.
Europa? Nuk është se në kampionat nuk kemi provuar të shkojmë drejt Portës. Patëm një ndeshje me Erzenin që ishim dominues. Por, disa gjëra nuk janë në dorën e trajnerit. Kur për shembull del përpara portës dhe nuk shënon. Mua djemtë po më ndjekin 300 përqind. Mjafton që Egnatia të jetë në kompeticionin e UEFA-s.
Gjysmëfinalja? Patjetër që jam i kënaqur. Është hera e parë e imja që kaloj në gjysmëfinale. Do të doja që këtë triumf t’ia dedikoj qytetit të Rrogozhinës.
Penalltitë? Kishim ardhur të përgatitur për këtë ndeshje. Kupa i ka këto. Ne i kishim bërë përgatitjet e duhura.
Dhomat e zhveshjes? Bëj detyrën. Me këmbë në tokë të vazhdojmë përpara”, tha ai.