
Skënderbeu fitoi ndaj Teutës me rezultatin 1-0. Pas takimit, Tefik Osmani u duk sërish i mërzitur por për shkak të aludimeve dhe akuzave ndaj Skënderbeut. Mbrojtësi korçar foli për Supersport.
"Vija nga një dëmtim. Kishte kaluar plotësisht, por pata një përplasje me Mustën dhe tani duhet të shohim kontrollet e nesërme. Uroj të mos jetë asgjë serioze.
Më vjen mirë kur arrij t’i shërbej ekipit në mesfushë. Ndoshta lodhem pak më shumë në atë rol, por nuk kam ç’të bëj, është zgjedhja e trajnerit dhe jam i detyruar ta respektoj.
Menaxheri Gerhard Takaj ma kishte ndjellur para ndeshjes që do jepja asist, e falënderoj dhe e përshëndes.
Nuk pranoj të na hidhet djersa poshtë, edhe pse e dimë që sulmet janë dhe do të jenë të shumta. Jam mërzitur më shumë për akuzat dhe aludimet në kurriz tonë.
Që kur kam ardhur te Skënderbeu, kjo skuadër ka funksionuar si grup, kështu kemi ecur përpara. Trajneri erdhi në janar, ishte i ri në Korçë, por është përshtatur mirë me grupin. Sa për problemet, ato ekzistojnë në çdo familje, por jemi në rrugën e duhur.
Deri tani besoj se askush nuk ka besuar te ne, sidomos pas humbjes ndaj Partizanit. Në Vlorë apo në Laç të gjithë mendonin se do humbisnim. Ne kemi bërë maksimumin dhe do të vazhdojmë të japim gjithçka. Për të tjerat flasim pas 3 ndeshjesh.
Fizioterapistja e famshme serbe parashikoi barazimin në Partizani-Kukësi dhe në ndeshjen e fundit në Korçë do të jetë e pranishme", përfundoi Osmani.