Vala e ndryshimeve tek ekipi kampion duket se është gjithëpërfshirëse. Nga Skënderbeu janë larguar deri tani disa titullarë të rëndësishëm, si dy mbrojtësit e krahëve Arapi dhe Vangjeli, por edhe Progni. Shkëmbi ka lënë futbollin e luajtur, ndërsa Salihi është shumë pranë kthimit në Austri. Vërtet duhen ndryshime, por kaq shumë largime… Te Skënderbeu ka një çështje edhe për stolin. Në dy ditët e para të stërvitjes në Durrës, grupi i futbollistëve është drejtuar nga përgatitësi atletik, Iris Selimi. Trajneri Mirel Josa nuk është paraqitur dhe nuk ka dhënë asnjë koment për mungesën e tij, por mësohet se ai është në pritje të një takimi me presidentin Ardjan Takaj. Në fund të sezonit që shkoi u fol për ndryshime për stolin kampion, por më pas gjithë vëmendjen e mori çështja e dënimit nga UEFA dhe tani mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë konkretisht. Mes Skënderbeut dhe Josës ka një ngërç, kjo është e qartë. Së shpejti do të ketë një takim mes palëve, që do të zbardhë gjithçka.