
Tirana është rikthyer ditën e djeshme zyrtarisht në stërvitje. Bardheblutë ashtu si të gjitha ekipet e tjera kanë zbritur në fushë duke zbatur protokollin e vendosur nga FSHF-ja dhe Ministria e Shëndetësisë. Në një intervistë për mediat ka folur edhe trajneri bardheblu, Emanuel Egbo që ka zbuluar planin për stërvitjen dhe takimin me presidentin Halili.
Rifilimi I stërvitjeve? “Më në fund kthehemi në fushë. Është një çlirim për të gjithë futbollistët e kampionatit dhe Tiranës. Sot fillon zyrtarisht stërvitja dhe kampionati. Ata janë stërvitur individualisht, por sot kemi stërvitje zyrtare ashtu siç kemi punuar para nisjes së kampionatit. Mendoj se është një ndjesi e mirë për të gjithë, sepse po kthehemi në punë për të bërë atë që dimë të bëjmë më mire”.
Pak ditë stërvitje dhe plani? “Nuk ekziston asnjë plan që mund të arrijmë atë që duam, pra të çojmë futbollistët në nivelin që i kishim para mbylljes së marsit. Pashë edhe statistikat e Bundesligës në ditën e shtunë. Nga gjashtë ndeshje ishin dëmtuar tetë lojtarë. Dhe llogarit që ata kanë një muaj e ca stërvitje dhe janë në këtë gjendje. Më pas, çfarë do të ndodhë nuk e di. Kemi edhe 13 ditë për t’u stërvitur, por kjo është jeta, këto janë kushtet për të gjithë. Do të bëjmë më të mirën e mundshme për të futur lojtarët në formën më të mirë të mundshme për vazhdimin e kampionatit”.
Ju shqetëson ndërprerja e kampionatit? “Nuk kemi çfarë të bëjmë. Nuk mund ta ndryshojmë as botën dhe as Coronavirusin. Siç është situata do të bëjmë më të mirën. Do të përshtatemi me kushtet që kemi. Do të bëjmë punën tonë dhe me ndihmën e Zotit do të arrijmë në rrugën e drejtë”.
Rifillimi I Superligës vendimi I drejtë? “Nuk është vetëm çështja e vendimit tonë. Nëse edhe shumica e klubeve kanë dhënë mendimin e tyre, kjo nuk ka rëndësi. Fundja çfarë rëndësie ka tani, që jemi duke filluar kampionatin. Dyshimi është mbyllur, tani mendja jonë edhe te përgatitja e skuadrës”.
Skuadra njësoj si para ndalimit të kampionatit? “Do të jetë e vështirë, por të shohim. Duhet të kontrollojmë sa është forma e lojtarëve, 50-60 %. Po kontrollojmë me kujdes lojtarët. Tani do të shohim se si sillen në grup”.
Konfirmimi te Tirana nga presidenti Refik Halili? “Të mbarojë njëherë sezoni dhe pastaj është radha e kësaj historie. Ju e dini që unë mendoj për atë që kemi përpara. Të fillojmë dhe mbarojmë kampionatin dhe më pas të mendojmë për sezonin e ri. Gjithsesi, është kënaqësi. Tirana është klubi me të cilin kam debutuar në Shqipëri. E di që nuk them se do të bëhet ajo që ka vendosur Zoti. Gjërat e mira bëhen gjithmonë bashkë”.