Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur fazën e saj voluminoze të aplikimit për të siguruar organizimin e finales së Superkupës së Europës të pas 2 viteve.
Sikundër është shpallur edhe më përpara, FSHF është kandidaturë potenciale në këtë garë me shumë vende të tjera, për të kërkuar OK e UEFA-s, si vend organizator për Superkupën Europiane, ekzaktësisht finale e saj në vitin 2019, ku përkon edhe me përfundimin e punimeve në impiantin “Arena Kombëtare”.
Siç raportohet në faqen zyrtare të FSHF-së në internet, një grup pune brenda aparatit të FSHF-së, nën koordinimin e sekretarit të përgjithshëm Ilir Shulku kanë nisur fazën e aplikimit për të plotësuar të gjithë dokumentacionin e plotë që kërkon dosja e kandidaturës së Shqipërisë dhe që kalon nëpër disa etapa, duke kërkuar domosdoshmërisht edhe çertifikimet e institucioneve të shtetit si Ministria e Brendëshme, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Bashkia e Tiranës, etj.
Deri në fund të majit do të plotësohet gjithçka kërkohet për tu kaluar më pas në Komisionin e posaçëm të UEFA-s, në datë 6 qershor, i cili bën edhe të gjithë verifikimin e pikave të kërkuara. Vendimi për finalen e Superkupës europiane do të merret në shtator të këtij viti.