
Kalimi te Espanyol për Marash Kumbullën ishte një lëvizje shumë e mirë për të. Mbrojtësi në Spanjë u ambientua shumë shpejt, ku është kthyer në një pikë kyçe të skuadrës bardheblu.
24-vjeçari ka dhënë së fundmi një intervistë për “Marca”, ku ka folur për largimi nga Roma dhe transferimin te Espanyol. Gjithashtu me mjaft superlativa ka folur për Jose Mourinhon, ndërsa shprehet mjaft krenar që përfaqëson ngjyrat kuqezi.
“Ju jeni përshtatur shumë shpejt dhe mirë te Espanyol. Mund të na thoni cili është “çelësi” i suksesit? Pa dyshim ishte trajneri Manolo (Gonzalez) dhe shokët e mi që më ndihmuan shumë në fillim me gjuhën dhe më ndihmuan të përshtatesha shpejt. Gjithsesi, gjithçka ishte shumë e natyrshme.
Në vitin 2023 keni pasur një dëmtim të rëndë në gju. A ju ka ndryshuar ky dëmtim si futbollist? Po, çdo dëmtim të ndryshon pak. Aq më shumë kur bëhet fjalë për një dëmtim të rëndë. Tani jam më i pjekur dhe duhet të punoj edhe më shumë. Ishte diçka që më shtyu të përmirësohem. Në fillim ishte e vështirë, sepse të gjithë lojtarëve u pëlqen të jenë në fushë dhe muajin e parë nuk munda të bëja absolutisht asgjë. Mendërisht ishte shumë e ndërlikuar.
A kishit nevojë për ndihmë psikologjike? Po, por unë mendoj se është normale. Të gjithë duhet të punojnë në aspektin psikologjik, sidomos ne, për të përballuar të gjithë presionin e jashtëm që kemi.
Po luani rregullisht te Espanyol, a keni fituar formën që doni? Po, prandaj doja të vija te Espanyoli. Më duhej një fushatë ku të mund të isha i qëndrueshëm, të ndihesha sërish futbollist. Kjo është ajo që doja.
Keni lindur në Itali, por luani për Shqipërinë… ? Babait tim iu desh të largohej nga Shqipëria 25 apo 30 vjet më parë për të gjetur një jetë më të mirë. Unë kam lindur në Itali, në Verona. Por e gjithë familja ime është shqiptare dhe prandaj luaj për kombëtaren shqiptare dhe është gjithmonë kënaqësi.
Pablo Zabaleta dhe Keidi Bare, a ju kanë folur për Espanyolin? Po, fëmijët e Pablo Zabaletës janë tifozë të thekur të Espanyolit dhe më thotë gjithmonë se një prej tyre i thotë tjetrit se ka një qendërmbrojtës që i pëlqen shumë, që është Kumbulla (qesh). E di që ai luajti shumë sezone shumë të mira këtu. Keidi Bare më ka folur gjithashtu shumë mirë për ekipin.
Murinho, çfarë mësuat prej tij? Ai është një trajner që ju flet drejtpërdrejt, ballë për ballë dhe nuk ka frikë t’ju tregojë atë që mendon. Nëse e dëgjon, piqesh shumë dhe përmirësohesh.
Mbijetesa? La Liga është shumë e vështirë dhe ka shumë skuadra që luftojnë për të mos rënë. Do të duhet të luftojmë deri në ndeshjen e fundit.
Pas huazimit do të riktheheni te Roma… .? Nuk kam menduar për këtë. Tani ajo që duhet të bëj është të përfitoj duke luajtur çdo javë, duke u stërvitur fort… është e vërtetë që ndihem shumë rehat, shumë i lumtur te Espanjoli. Manolo Gonzalez është një trajner shumë i mirë dhe një person i madh. Kur duhet të të thotë gjëra të mira, të thotë, e kur jo, e bën gjithashtu. Dhe mua më pëlqen kjo. Ai është gjithmonë i sinqertë. Ai na motivon shumë, është një trajner kërkues që pret shumë nga të gjithë lojtarët”, ka përfunduar Kumbulla.