Shqipëria po përgatitet për të përjetuar për herë të dytë emocionet e një Kampionati Europian. Kombëtarja shqiptare është mes ekipeve që do të luajë në Euro 2024 dhe Sylvinho me “djemtë” e tij prej ditësh kanë nisur përgatitjet për këtë kompeticion.
Emocionet sa vijnë e shtohen për tifozët shqiptarë, të cilët priten të jenë të shumtë në mbështetje të kuqezinjve në Gjermani. Pikërisht tifozët kuqezi nuk dëshirojnë që në Gjermani kombëtaren ta ndjekë Edi Rama.
Në artikullin e “The Guardian” thuhet se kryeministri është ters për çdo ekip që i vesh fanellën. Britanikja i nxjerr “namin” kreut të Shqipërisë vetëm pak ditë para startit të Euro 2024.
“Personalitetet shqiptare do të dynden në Gjermani për të marrë pjesë në Euro, por është një njeri që shumë tifozë kuqezi mund të mos duan ta shohin, veçanërisht në stadium, kryeministrin shqiptar, Edi Ramën. Kjo është për shkak të "mallkimit të tij të futbollit", siç do të thoshte folklori i tifozëve. Rama shpesh merr pjesë në evente apo fushata elektorale i veshur me fanella futbolli të skuadrave ndërkombëtare, dhe çuditërisht, kjo shpesh i paraprin një fatkeqësie për këtë ekip. Nëse pyesni tifozët shqiptarë, humbja e Manchester City nga Real Madridi me penallti në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve në prill, mund të ketë të bëjë me Ramën që zbuloi projektin e ri të akademisë shqiptare të City-t në të njëjtën ditë në Tiranë,” thuhet ndër të tjera në artikull.