
Kombëtarja shqiptare mori një fitore madhështore me shifrat 0-1 përballë Serbisë në Leskovac, duke “heshtur” edhe kritikët që nuk besonin. Një ndër ta ishte edhe gazetari Ledio Halili, i cili nuk ishte aspak optimist për një triumf të kuqezinjve përballë ekipit serb, madje duke dhënë edhe premtime.
“Po të rrahë ky ekip Serbinë, atëherë unë do dal dhe do them që nuk marr vesh nga futbolli, nuk jam më as tifoz i futbollit. Ky ekip që ka luajtur sot, ose ky ekip që ka luajtur 3 ndeshjet e fundit të mendojë se mund të rrahë Serbinë në Beograd, duke marrë parasysh presionin, ambientin, kundërshtarin, cilësitë e tij, unë mendoj se Sylvinho është jashtë”, shprehej gazetari Ledio Halili disa javë më parë.
Ndërkohë që së fundmi, Halili duket se ka reflektuar disi pas fitores, e cila e ka surprizuar maksimalisht. Megjithatë, gazetari që nuk do të fliste më për futbollin, tha se Serbia ishte shumë dobët dhe zhvillimi i ndeshjes në stadiumin e Leskovcit ndikoi shumë.
“Unë i bie që të mos flas më për këtë ndeshje. Kisha shumë pak besim që ky grup, pas atyre ndeshjeve të shtatorit mund të merrte ndonjë pikë, të paktën me idenë që do luanin në Beograd. Leskovci ua lehtësoi disi punën dhe le të them paraqitja tmerrësisht e dobët e Serbisë. Uzuni bëri jashtëzakonisht mirë, por gjithë grupi ishte kompakt. Mënyra si shkoi loja nga fillimi në fund, Serbia nuk dinte të shënonte, ne ishim më solidë. Mund ta shënonim rezultatin”, tha gazetari pas fitores historike.