
Shoqata Rajonale e Futbollit Lezhë mbajti sot Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore, ku Kristian Gjidodaj u rizgjodh si kryetar i SHRF Lezhë për katër vitet e ardhshme.
Të pranishëm në këtë Asamble Zgjedhore ishin 11 anëtarë të shoqatës, të përfaqësuar nga 18 delegatë dhe të gjithë vendosën në unanimitet të plotë që kryetari Kristian Gjidodaj të vazhdojë punën e nisur për zhvillimin e futbollit në këtë zonë.
Gjithashtu, u diskutuan edhe pikat e tjera të përcaktuara në rendin e ditës, që kishin të bënin me raportin e aktivitetit të Shoqatës, miratimin e pasqyrave financiare, miratimin e buxhetit për vitin 2025, zgjedhjen e delegatëve që do të përfaqësojnë SHRFL-në në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, si edhe ndryshimin e emblemës.
Në punimet e Asamblesë Zgjedhore të Shoqatës Rajonale të Futbollit Lezhë ishte i pranishëm edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu, i cili në nisje të punimeve i përgëzoi anëtarët e SHRF Lezhë për punën e mirë dhe i inkurajoi që të vazhdojnë përpara në të njëjtën mënyrë për të zhvilluar akoma më shumë futbollin në këtë rajon.
Anëtari i KE-së, Abdyl Kuriu, theksoi se mbështetja e FSHF-së për SHRF Lezhë do të jetë akoma më e madhe përmes projekteve të ndryshme dhe investimeve infrastrukturore.
“Është një privilegj të jem sot këtu në Asamblenë e Shoqatës Rajonale të Futbollit Lezhë. Pjesëmarrja jonë tregon angazhimin për të vijuar punën e nisur, duke reflektuar mbi arritjet dhe sfidat përpara.
Së pari, dua t’ju përgëzoj për punën e shkëlqyer që keni bërë gjatë këtij viti në rajonin e Lezhës, të gjithëve ju, por në veçanti kryetarin e kësaj shoqate, z.Kristian Gjidodaj. Dua t’ju inkurajoj që të vazhdoni të punoni me të njëjtën dëshirë e zell, të përkushtoheni po kaq shumë sa gjatë këtij viti dhe vitin e ardhshëm të keni edhe më shumë arritje dhe përmbushje të objektivave tuaja.
Fokusi ynë mbetet rinia, grassroots dhe zhvillimi i futbollit të vajzave, duke vijuar me projekte si “UEFA Playmakers” dhe “100 fushat” për përmirësimin e infrastrukturës sportive.
Prej disa vitesh tashmë, një nga prioritetet tona kryesore është mbështetja e futbollit të vajzave, ku një pjesë jo e vogël e buxhetit tonë shkon në drejtim të këtij sektori. Gjithkush ka të drejtën të luajë futboll dhe ne si FSHF mbështesim këdo që do të bëhet pjesë e këtij sporti. Dua t’ju kujtoj që masivizimi është sfidë që kërkon kontributin e gjithsecilit prej nesh, edhe tuajin, për të qenë në pararojë të zhvillimeve sportive në vend.
Sfidat dhe objektivat afatgjata përfshijnë ndërtimin e një qendre rajonale për të gjithë zonën. Çdo vështirësi duhet shfrytëzuar si mundësi për të krijuar mundësi të reja, duke përfshirë bashkëpunime për projekte të rëndësishme, sigurimin e sponsorëve dhe krijimin e hapësirave të tjera për të maksimizuar përdorimin e këtyre burimeve në shërbim të futbollit.
Shoqata me mbështetjen e secilit prej nesh, duhet të forcojë bashkëpunimin me pushtetin vendor, me qëllim jo vetëm zhvillimin e bashkëpunimit, por edhe për të siguruar që ky bashkëpunim t’i shërbejë komunitetit të futbollit. Çdo bashki, sipas prioriteteve të saj, mund të ofrojë mundësi për projekte dhe thirrje që mbështesin futbollin; le t’i shohim ato si mundësi për forcimin dhe zhvillimin e këtij sporti në këtë rajon”, – tha anëtari i KE-së, Abdyl Kuriu.
Kristian Gjidodaj, pasi u rizgjodh si kryetar i SHRF Lezhë, shprehu falënderimet për besimin dhe mbështetjen që mori nga anëtarët e shoqatës. Ai theksoi se ky mandat është një përgjegjësi e madhe dhe një mundësi për të kontribuar në zhvillimin dhe përparimin e futbollit në rajon.
Gjidodaj shtoi se do të vazhdojë me punën për zhvillimin e futbollit, mbështetjen e klubeve dhe krijimin e mundësive të reja për talente të rinj.
“Së pari, dua të falenderoj çdo njëri prej jush për besimin dhe mbështetjen që më dhatë duke më rizgjedhur si Kryetar të Shoqatës Rajonale të Futbollit Lezhë. Ky është një moment i rëndësishëm për mua dhe për të gjithë komunitetin e futbollit në rajonin tonë. Ky mandat nuk është vetëm një përgjegjësi e madhe, por dhe një mundësi për të kontribuar në zhvillimin dhe përparimin e futbollit në rajonin tonë.
Unë e kuptoj rëndësinë e këtij posti dhe do të angazhohem të sjell përmirësime dhe për të punuar në mënyrë transparente dhe të hapur me të gjitha klubet dhe anëtarët tanë. Kam besim të plotë që së bashku do të mund të përballojmë sfidat dhe do të arrijmë objektivat tona. Do të vazhdojmë të punojmë për zhvillimin e futbollit, për mbështetje për klubet tona dhe për krijimin e mundësive të reja për talente të rinj”, – tha Kryetari i SHRF Lezhë Kristjan Gjidoda.
Gjatë asamblesë, anëtarët e SHRF Lezhë me anë të votimit, miratuan pasqyrat financiare dhe buxhetin për vitin 2025. U zgjodhën edhe delegatët që do të përfaqësojnë SHRFL-në në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, të propozuar nga anëtarësia. Pas votimit të anëtarëve të SHRFL-së, u zgjodhën delegatë Kristian Gjidodaj dhe Prek Pjetrushi.
Gjithashtu, të gjithë anëtarët votuan pro ndryshimit të emblemës, duke miratuar një version të ri më modern dhe të thjeshtë.