Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Lezhë zhvilloi sot punimet e saj, gjatë të cilave u morën vendime të rëndësishme lidhur me aktivitetin dhe funksionimin e shoqatës.
Në këtë mbledhje morën pjesë 13 anëtarë të shoqatës, të përfaqësuar nga 20 delegatë, të cilët diskutuan dhe miratuan pikat e parashikuara në rendin e ditës. Diskutimet u fokusuan në raportin e aktivitetit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Lezhë, miratimin e pasqyrave financiare, buxhetin për vitin 2026, propozimin e kandidaturave për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, si edhe zgjedhjen e delegatëve që do të përfaqësojnë SHRFL-në në Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Gjatë punimeve të asamblesë, Kryetari i SHRF Lezhë, Kristjan Gjidodaj, mbajti një fjalë përshëndetëse, ku falënderoi anëtarët, përfaqësuesit e FSHF-së dhe pushtetit vendor për mbështetjen e vazhdueshme. Ai theksoi se gjatë vitit 2025, shoqata arriti të rrisë ndjeshëm numrin e ekipeve dhe futbollistëve, duke pasur aktualisht 78 ekipe dhe rreth 1500 lojtarë në qarkun e Lezhës.
“Shoqata Rajonale e Futbollit Lezhë gjatë vitit që lamë pas, është përpjekur për të përmbushur të gjithë objektivat që ne kishim vendosur. Si në rritjen e ekipeve ashtu edhe në rritjen e numrit të lojtarëve. Numri i ekipeve që futbollistët kanë ardhur gjithmonë e në rritje nga njëri vit në tjetër, me rreth 55-80%, këtë e tregon më së miri dinamika e tyre gjithmonë në rritje, ku sot kemi në qarkun tonë 78 ekipe amatore dhe rreth 1500 lojtarë. Projekti “play-maker” u zhvillua sezonin e kaluar në shkollën “Gjergj Kastrioti” të qytetit dhe pati një ecuri të kënaqshme dhe të mirëpritur. Projekti “uniforma ime” dhe “topi im”, vazhdojnë të japin një impakt shumë pozitiv te vetë lojtarët, por edhe prindërit. Për më shumë dinamikë dhe seriozitet në stërvitje dhe kompeticionet e përjavshme. Këtë sezon në bashkëpunim me FSHF-në, janë shpërndarë 1120 sete uniformash dhe topa për të gjithë lojtarët. Synimi im i vazhdueshëm është rritja e numrit të fëmijëve që merren me futboll, femra dhe meshkuj”, tha Gjidodaj.
Organizimi i kampionateve për të gjitha grupmoshat nga U9 deri në U17 dhe projektet “Playmaker”, “Topi Yt” dhe “Uniforma ime” kanë rritur pjesëmarrjen dhe interesin e prindërve dhe sportdashësve. Përfaqësueset rajonale janë seleksionuar dhe stërvitur rregullisht, ndërsa Kolegjiumi i Arbitrave ka shënuar rritje me 60%, duke përmirësuar cilësinë e ndeshjeve.
Kryetari nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të futbollit të vajzave dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive. Licencimi i trajnerëve me Licencë C dhe B do të zhvillohet këtë sezon në Lezhë në bashkëpunim me FSHF. Ai vlerësoi gjithashtu funksionimin e zyrës rajonale të SHRF Lezhë si një element kyç për koordinimin e futbollit amator dhe përfshirjen e fëmijëve në sport.
Më pas, me anë të votimit, u miratuan raporti i aktivitetit të shoqatës, pasqyrat financiare dhe buxheti për vitin 2026. Gjithashtu, u zgjodhën delegatët që do të përfaqësojnë Shoqatën Rajonale të Futbollit Lezhë në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së. Pas votimit nga anëtarësia, si delegatë u zgjodhën Kristjan Gjidodaj dhe Ardian Laska.
“Përshëndetje, sapo mbaroi Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Lezhë. Miratuam buxhetin e vitit 2026 dhe gjithashtu propozuam si kandidat për president të Federatës Shqiptare të Futbollit z.Armand Duka. Gjithashtu me motivacionin si një promovues i nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar të sportit e të tjera, propozuam për anëtar të Komitetit Ekzekutiv, gazetarin e njohur z.Blendi Fevziu”, mbylli fjalën e tij Gjidodaj.
Anëtarët e SHRF Lezhë propozuan dhe votuan unanimisht z. Armand Duka si kandidat për President të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ndërkohë, si kandidat për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, u votua gazetari i njohur dhe autori e drejtuesi i emisionit “Opinion”, z. Blendi Fevziu.
