
Komisioni Ligjor dhe i Licencimit pranë Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së zhvilloi një mbledhje me anëtarët e Dhomën Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, një takim i rëndësishëm për vlerësimin e punës së këtij organi të drejtësisë sportive dhe përcaktimin e prioriteteve për të ardhmen.
Mbledhja u mbajt në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” dhe në të morën pjesë Drejtori Administrativ i FSHF-së, z. Aldi Topçiu, Kryetari i Komisionit Ligjor, z. Envi Hicka, Drejtoresha e Departamentit Ligjor, znj. Erisa Vora, si edhe arbitra dhe anëtarë të trupës së DHZM. Gjatë mbledhjes u diskutua mbi ecurinë e deritanishme të punës, sfidat e hasura dhe objektivat për mandatin e ardhshëm.
Në një prononcim për fshf.org, Kryetari i Komisionit Ligjor dhe i Licencimit, z. Envi Hicka, nënvizoi se fokusi i takimit ishte analiza e veprimtarisë katërvjeçare të Dhomën Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, problematikat e hasura gjatë kësaj periudhe, si dhe ndikimi i ndryshimeve të bëra në rregullore.
“Komisioni Ligjor dhe i Licencimit pranë Komitetit Ekzekutiv mbajti një mbledhje me anëtarë të Dhomën Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve pranë FSHF-së me qëllim analizimin e punës së këtij organi të zgjidhjes së konflikteve për 4-vjeçarin e fundit dhe me qëllimin e rinovimit të tij në 4-vjeçarin e ardhshëm për një mandat të ri. Analiza mori në konsideratë shumë faktorë, zhvillimet dhe rrjedhshmërinë e punës gjatë këtij mandati 4-vjeçar, problematikat që janë hasur nga anëtarët e Dhomës dhe nga klubet gjatë kësaj periudhe si dhe impaktin që kanë pasur ndryshimet që ne i kemi bërë rregullores në vitet e fundit me shpresën për ta modernizuar dhe për ta bërë më fleksibël këtë mekanizëm për të gjithë komunitetin e futbollit që ka nevojë për zgjidhje mosmarrëveshjesh.
Urojmë, shpresojmë dhe besojmë që në mandatin e ardhshëm me kontributin e të gjithë faktorëve, duke nisur nga klubet, lojtarët, nga FSHF si organizatë dhe profesionistët që ne kemi afruar në këto trupa, të kemi një hov dhe një qasje tjetër, duke i ofruar të gjithë faktorëve një zgjidhje sa më të mirë, të besueshme dhe sa më pak të kontestuar të konflikteve në lëmin sportiv dhe jo vetëm, por edhe në atë tregtar apo me natyra të tjera. Ky ka qenë një qëllim i vazhdueshëm i Komitetit Ekzekutiv për të cilin ne do të marrim edhe miratimin dhe angazhimin e besimin dhe nga Asambleja e ardhshme” – tha Envi Hicka në fjalën e tij për fshf.org.