
Kombëtarja e vajzave triumfoi sot ndaj Kroacisë në Nations League në Ligën B me rezultatin e thellë 4-0, sfidë e cila u zhvillua në Shkodër në stadiumin “Loro Boriçi”. Në përfundimin e takimit, trajneri i vajzave, Armir Grima doli në prononcim për mediat.
“Të jem i sinqertë fitoren e prisja sepse kemi luftuar dhe kemi punuar shumë me vajzat që të arrijmë tek kjo fitore. Ndoshta jo një fitore kaq e thellë, por unë jam i bindur për cilësitë dhe mundësitë që kanë vajzat. Sot u shprehën më së miri dhe dua t’i falenderoj shumë për këtë ndeshje që na dhuruan të gjithëve. Arma jonë më e fortë është kolektiviteti, shpirti i garës që vajzat asnjhëherë nuk kursejnë atë që kanë për të dhënë.
Japin maksimumin, luftojnë dhe ne kur luajmë kështu gjithmonë kemi arritur rezultate të mira. Normalisht që na pret një ndeshje tjetër më e vështirë se këtu, do të mundohemi t’i sjellim gjendjen fizike të vajzave, do punojmë këto dy ditë që kemi që të dalim me një rezultat të mirë sepse është vetmja rrugë të qëndrojmë këtu ku jemi. Mungesat sot nuk ranë në sy, ato vajza që luajtën i kanë zëvendësuar në mënyrën më të mirë.
Jam i kënaqur me të gjitha vajzat me çfarë dhanë në fushën e lojës. I falenderoj tifozët nga zemra me mbështetjen që na kanë dhënë, sa herë vijmë në Shkodër gjejmë këtë lloj mbështetjeje dhe ngrohtësi që ta bëjnë më të qetë lojën. Jam shumë i gëzuar që sot i kemi nxjerrë krenarë nga stadiumi me këtë fitore.”, u shpreh Grima.