
Në kuadër të investimeve të rëndësishme infrastrukturore që Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërmarrë në të gjithë vendin, një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe projekteve që lidhen me përgjegjësinë sociale.
Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka miratuar ndërtimin e një mini-fushe futbolli pranë muzeut “Martin Cani”, projekt i cili ka nisur tashmë të realizohet.
Ky investim mbart një domethënie të veçantë, pasi lidhet me kujtimin e Martin Canit, i cili humbi jetën tragjikisht pranë shkollës “Fan Noli” në nëntor të vitit 2024, ngjarje që preku mbarë opinionin publik shqiptar.
Përmes këtij projekti, FSHF synon jo vetëm të ruajë kujtimin e Martin Canit, por edhe të promovojë vlerat e sportit, edukimit dhe solidaritetit, si mjete të rëndësishme për ndërgjegjësimin e brezave të rinj.
Në ambientet e muzeut “Martin Cani”, në përurimin e nisjes së punimeve ishin të pranishëm specialistja e Departamenti të Projekteve, Pamela Ndocaj dhe prindërit e Martinit, Angel dhe Florina Cani.
Pamela Ndocaj, specialistja e Departamentit të Projekteve, theksoi se fusha në muzeun “Martin Cani” është një hap konkret për të ndërthurur kujtimin, sportin dhe edukimin, duke bashkuar gjenerata të reja dhe nxitur përkushtim e respekt.
“Në kuadër të përgjegjësisë sonë sociale, FSHF është e përkushtuar të sjellë jo vetëm zhvillim sportiv, por edhe vlera edukative dhe komunitare. Ndërtimi i mini-fushës në muzeun “Martin Cani” është një përpjekje për të ndërthurur kujtimin, sportin dhe edukimin në një ambient të vetëm. Ne jemi të bindur se futbolli ka fuqi të bashkojë gjenerata të reja, të nxisë përkushtim dhe respekt, dhe kjo fushë do të jetë një hap konkret drejt këtij qëllimi”.
Florina Cani, nëna e Martinit, falënderoi FSHF-në duke thënë se fusha e re do të kujtojë gjithmonë djalin e saj dhe ëndrrat e tij.
“Ju falënderoj nga zemra që ju na e ktheni këtë dhimbje në forcë. Martini kishte shumë ëndrra dhe ai donte që të bëheshe si Cristiano Ronaldo. Luante gjithmonë te fusha që ju po e bëni, e keni marrë përsipër. Ju falënderoj pafund. Çdo fëmijë që do të vijë te kjo fushë dhe çdo top që do të rrotullohet të kujtojë Martinin. Ai ishte një fëmijë i veçantë me zemër të madhe dhe dua që të mbetet midis nesh”.
Ky projekt është pjesë e nismave të vazhdueshme të FSHF-së për të kontribuar në komunitet përmes investimeve që promovojnë vlera humane dhe zhvillimin e sportit në shërbim të shoqërisë.