Komuniteti shqiptar i basketbollit u prek nga një lajm i trishtë sot, pasi u njoftua se ish-basketbollisti dhe gazetari sportiv, Enea Andrea ndërroi jetë. Enea Andrea u nda nga jeta në moshën 55-vjeçare si pasojë e një ataku kardiak gjatë kohës kur po stërvitej në palestër.
Ndërsa për humbjen e madhe të ish-basketbollistit Enea Andrea ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Basketbollit. Në një reagim zyrtar në rrjetin social “Facebook”, federata ka shprehur ngushëllimet më të thella dhe të sinqerta familjarëve, miqëve dhe të gjithë komunitetit të basketbollit gjithashtu.
REAGIMI:
Federata Shqiptare e Basketbollit shpreh dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të Enea Andrea, ish-basketbollist, i cili u nda nga ne ditën e sotme si pasojë e një arresti kardiak.
Enea do të kujtohet për pasionin, përkushtimin dhe kontributin e tij në basketbollin shqiptar, si dhe për vlerat njerëzore që la pas brenda dhe jashtë fushës së lojës.
Në këtë moment të vështirë, Federata Shqiptare e Basketbollit i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë komunitetit të basketbollit.
U prehsh në paqe, Enea. Kujtimi yt do të mbetet gjithmonë mes nesh.
