Sot është një ditë e shënuar për gjithë futbollin shqiptar dhe për atë shkodran në veçanti. Pikërisht kjo datë 16.02.2019 shënon 100 vite futboll në vendin tonë. Do ishte Shkodra ajo që do sillte për herë të parë sportin top këmbës në vendin tonë. Do krijohej ekipi i parë i futbollit në Shqipëri, Vllaznia e Shkodrës. Një emër që do shndërrohej në emblemë të futbollit tonë në vitet që do pasonin. Por ky 100 vjetor nuk e gjen ekipin e zemrës aty ku duhet dhe e kërkon historia, por Vllaznia po “dergjet” në Kategorinë e Parë në përvjetorin e saj më të bukur. Ai ekip që sfidonte i vetëm treshen e kryeqytetit (Tirana, Partizani, Dinamo) sot në orën 14:00 do luajë një ndeshje kundër Vores. Një ndeshje që do përkujtojë këtë 100 vjetor kaq të hidhur për të gjithë në Shkodër. Por i madhi Pavel Nedved ka thënë: “Makinën, shtëpinë, rrobat madje edhe gruan mund ta ndërrosh, por kurrë ekipin e zemrës”. Pikërisht me këtë shprehje i uroj këtë 100 të themelimit ekipit të zemrës. Shpejt shpresoj që të kthehesh aty ku e meriton duke luftuar kundër të denjëve si Tirana apo Partizani.
Sepse kështu të ka hije ty të luftosh kundër më të mirëve. Ashtu siç ke bërë kur ke mundur të gjithë në të kaluarën. Ky 100 vjetor duhej të ishte ndryshe, por me sa duket kjo qenka ironia e fatit. Ndoshta do rikthehesh më e fortë se kurrë dhe të kënaqësh ato mijëra zemra të tifozëve që sa herë degjojnë fjalën “Vllaznia” iu ngjethet trupi e mbushin shkallët e “Loro Boriçit” plot e përplot. Gëzuar Vllaznia ime e mos të pafsha kurrë në asnjë përvjetor kështu siç të shoh sot. Zemra do jetë gjithmonë kuq e blu.