
Miqësorja e sotme mes Skënderbeut dhe Bylisit në stadiumin “Skënderbeu” ka përfunduar me shifrat 2-1 për korçarët. Gjithçka u vendos me përmbysje në pjesën e dytë. Ishin ballshiotët që e mbyllën në avantazh gjysmën e parë të takimit, pas golit të shënuar nga Aires Souza në minutën e 27.
Juglindorët gjetën forcat për të reaguar gjatë pjesës së dytë. Belajdi Pusi mori në dorë fatin e takimit, duke shënuar fillimisht në minutën e 75’ dhe më pas në të 85’, për të vulosur gjithçka.
Aires Souza që shënoi për Bylisin është 23-vjeç, luan si sulmues dhe vjen nga Portugalia. Ditët në vijim pritet dhe prezantimi zyrtar i tij. Kujtojmë se të dyja skuadrat vijojnë përgatitjet në kuadër të sezonit të ri. Skënderbeu militon në Kategorinë e Parë, ndërsa Bylis në Abissnet Superiore.