
Ditën e sotme, në "Selman Stermasi" është luajtur ndeshja e kthimit të turit të dytë në Kupën e Shëipërisë. Partizani ka pritur Kastriotin dhe të kuqtë kanë fituar me rezultatin 3-0, duke u kualifikuar kështu për në fazën çerekfinale. (2-4 fituanë të kuqtë në ndeshjen e parë në Fushë-Krujë).
Pas takimit, trajneri Skënder Gega është shprehur për mediat se janë aktivizuar lojtarët që nuk kanë patur shumë minuta në këmbë më dy fazat e para, duke përgëzuar të tijtë për performancën në fushën e lojës.
Aktivizimi i lojtarëve
"Ndeshja e dytë ia vlejti sepse pamë disa futbollistë që nuk kanë pasur minutazhin e duhur në dy fazat e para. Gjithçka u kontrollua mirë dhe jam i kënaqur nga mënyra se si luajtëm. Kastrioti ndoshta nuk erdhi me forcat më të mira, por nuk e kemi problem. Kemi një tjetër ndeshje në kampionat.
Mendoj se ishte një test i mirë për lojtarët që aktivizova në fushë dhe jo më kot i dhashë mundësi. Të gjithë kemi nevojë të rritemi dhe të shohim ndeshjen tjetër.
Duke parë ndeshjen e vajtjes, ishim pa presion dhe kishim hapësirë".
Vendosja në fushë
"Lojtarët e mirë luajnë kudo, nuk prishin ekuilibrat. Ferati bashkë me Koten janë tepër të talentuar dhe sot vrapuan shumë dhe dhanë gjithçka.
Të shtunën, luajmë përballjen në kampionat me Kastriotin. Do të bëjmë më të mirën, jemi në vend të parë dhe jemi Partizani. Do të kemi tifozët tanë. E dimë që Kastrioti po kalon një moment të mirë, por do të përgatitemi siç duhet.
Duhet të fitojmë çdo ndeshje qoftë edhe miqësoret, sepse profesionalizmi është në rradhë të parë. Kupa është objektiv, por të shtunën kemi një ndeshje të vështirë në kampionat", ka thënë Gega.